Kriteri I Leibnizit. Maurizio Dagradi
dhe shkëmbimi ka filluar. Jemi në kohën zero të proçesit. Vëllimi i hapësirës A niset dhe hyn tek Lidhësi, sesi dhe në ç’farë forme ne nuk e dimë akoma, dhe fillon të udhëtojë drejt ekstremit të kundërt. Në të njëjtën kohë, vëllimi i hapësirës B bën të njëjtën gjë nga ana e tij dhe fillon të udhëtojë drejt daljes së kundërt të Lidhësit. Kalon koha e Plankut dhe dy hapësirat arrijnë në destinacion, dalin nga Lidhësi dhe pozicionohen secila atje ku më parë ishte hapësira tjetër. Jemi në kohën një dhe proçesi ka mbaruar.>
Bëri një pushim me efekt.
<Por midis kohës zero dhe kohës një,> tha me një zë që rriste trashësinë, <ç’farë ka në vend të hapësirave që po udhëtojnë në Lidhës?> përfundoi me një britmë histerike.
Për një çast, koha duket se ka ndaluar.
<Jo...> tha Kamaranda me shikimin e zbrazët.
<Ja që, po!> bërtiti ajo akoma më fort. <Eshtë Hiçi!> njoftoi ashpër.
Drew -së iu ngritën flokët përpjetë.
Kobayashi hapi gojën dhe nofulla i ra poshtë.
Fytyra e Schultzit ishte një maskë e ngurtë, e gdhendur në një shprehje humbjeje absolute.
Marron shikonte drejt përpara vetes, sikur të mos qe atje.
Ndërsa, Maoko, vëzhgonte e kënaqur Novak-un dhe kishte një buzëqeshje të vogël të çuditshme.
<Hiçi, kuptoni?> vazhdoi norvegjezja. <Dhe me siguri pikërisht atje shkon e mbaron gjithë energjia që rezulton nga llogaritjet, energjia që del nga universi ynë duke ndryshuar bilancin energjitik. Është një dhunim i postulatit të Lavoisier, sipas të cilit asgjë nuk krijohet dhe asgjë nuk shkatërrohet, por gjithçka transformohet. Dhe ndoshta prandaj Lidhësi mund të zgjasë maksimuni për kohën e Plankut, sepse përndryshe Hiçi do të thithte gjithë energjinë që ka përreth. Po t’i jepnim mjaftueshëm kohë, ndoshta do të merrte energjinë e të gjithë universit!>
Në laborator ra një qetësi varri.
Ishte sikur acari i një errësire më të thellë që njeriu mund të imagjinonte kishte rënë mbi ta, dhe kishte kristalizuar mendjet e tyre dhe ndërgjegjet e tyre.
Novak mbeti në këmbë afër dërrasës së zezë, me shkumësin në dorë.
Kaloi një minutë e tërë pa lëvizur asnjë muskul askush prej tyre, pastaj Kobayashi iu afrua dërrasës, morri një shkumës dhe bëri disa llogaritje në një pjesë akoma të lirë të sipërfaqes së zdrukuar.
<Jo.> tha në fund. <Nuk mund të jetë kështu. Funksioni i treshes së transferimit tregon që fuqia rritet vetëm me kubin e largësisë, pavarësisht nga vëllimi i hapësirës së shkëmbyer. Duke hamendësuar pra të mbajmë konstant këtë vëllim, ajo do përcaktojë edhe sa ‘Hiç’ do të thithë energjia që fusim në eksperiment, ndërkohë që dy hapësirat udhëtojnë drejt destinacionit të tyre të ri. Nuk shikoj përse duke rritur largësinë e shkëmbimit dhe duke mbajtur fiks vëllimin, Hiçi do duhej të rriste aftësinë e tij të thithjes.>
Novak e pa me sytë të shqyer, duke reflektuar me inat.
Pas disa sekondave të pafundme u drithërua dukshëm, duke u zverdhur akoma më shumë.
<Jo... jo... është çmenduri, e pakonceptueshme.> belbëzoi. <Nuk mund të jetë.>
<Ç’farë, profesoreshë Novak?> pyeti i alarmuar Kobayashi.
<Ky!> dhe Novak tregoi Lidhësin e vizatuar në dërrasën e zezë.
Të tjerët po e shikonin me budallallëk.
<Po nuk e kuptoni?> bërtiti. <Është drejtpërsëdrejti Hiçi ai që po deformojmë! Lidhësi formohet në Hiç! Është formuar nga Hiçi! Hapësira A hyn në Hiç dhe rishfaqet në vendin e hapësirës B, i cili përfundon në vendin e hapësirës A duke kaluar nga Hiçi!>
Kjo gjë i futi të pranishmit në çorientim total. Ishte sikur nuk kishin tokë poshtë këmbëve. Sikur të gjitha siguritë, të gjitha bazat mbi të cilat kishin ndërtuar njohuritë e tyre të ishin zhdukur, papritur.
<Po si mundet... si mundet që diçka që ekziston...> guxoi Drew <... diçka që ekziston... të hyjë në Hiç, duke pushuar kështu së ekzistuari, dhe të rishfaqet nga Hiçi, duke filluar të ekzistojë me të njëjtat veti fillestare, edhe pse në një vend tjetër?>
Novak vuri një dorë mbi ballë dhe u mbështet tëk dërrasa e zezë. Dukej sikur i rrotullohej koka. Maoko iu afrua dhe e kapi nga krahu, duke e çuar të ulej mbi karrigen më të afërt. Shkoi ti merrte një gotë uji, që norvegjezja e pranoi me një shikim mirënjohës.
<Kjo është një çështje thjesht filozofike.> iu përgjigj Novak Drew-së, me zë të ulët, të fikur, ndërsa pinte. <Ose më mirë, do të ishte një çështje thjesht filozofike nëse nuk do të kishim përballë një manifestim eksperimental të manipulimit të Hiçit. Hiçi nuk ekziston, dhe nuk mund të jetë as i përcaktuar, përndryshe përcaktimi vetë do ta bënte të pushonte së qënuri Hiçin. Dhe ne po e manipulojmë. Ndjej që është kështu. Nuk shikoj zgjidhje të tjera. Duke u rritur largësia e shkëmbimit rritet edhe gjatësia e Lidhësit të ndërtuar nga Hiçi dhe bërë me Hiç. Pasiqë Hiçi dukshëm thith me efikasitet maksimal energjinë që i jepet hua, rrjedh që është Lidhësi vetë që gllabëron gjithë atë energji. Duke u rritur gjatësia e Lidhësit rritet edhe në mënyrë të pashmangshme energjia e nevojshme për ta gjeneruar dhe mbajtur për kohën e Plankut. Lidhësi
kryen shkëmbimin, këtë po, por me një çmim të paarritshëm mbi largësitë e konsideruara.>
Përsëri qetësi, por këtë herë mbi fytyrat e Drew-së, Schultzit, Kamaranda-s, Marronit dhe Kobayashit lexohej qartazi admirimi për intuitën gjeniale të Novak-ut. Kishin parë që mendja e asaj gruaje shikonte atje ku ata nuk mund të shihnin, dhe arrinte atje ku mendja e tyre nuk mund të arrinte. Në të njëjtën kohë fytyrat e tyre shprehnin edhe dëshpërimin për humbjen që ajo intuitë dekretonte, për pengesat e pakapërcyeshme që përcaktonin.
<Është çmenduri... çmenduri fare...> mërmëriste Schultz duke tundur kokën në shenjë mohimi.
Kaluan kështu disa minuta, pastaj, me gjakftohtësi dhe jo me pakujdesi, Maoko shkoi të ulej në këndin e banakut, afër Novak që ishte e ulur. E pa nga lart poshtë dhe i foli me ton miqësor, duke habitur të pranishmit që më parë as nuk e kishin vënë re gotën e ujit që i kishte afruar.
<Profesoreshë Novak, dizertacioni juaj tregon që nuk ka zgjidhje të praktikueshme për problemin e shtruar, pasi universi ynë është një sistem i izoluar dhe makineria në thelb shkarkon energji jashtë këtij sistemi, duke ndryshuar bilancin energjitik.>
Novak pohoi me ngadalë.
<Por nëse në vend se të konsiderojmë universin tonë një sistem të izoluar ta konsideronim thjesht një sistem të mbyllur20, vendosur në brendësi të një sistemi më të madh, nuk beson që do mundemi të studiojmë më lehtësisht sjelljen?>
Novak pa Maokon me sy të shqyer, e habitur.
Askush nuk guxonte të fliste, duke parë madhësinë e kësaj hipoteze.
Por, pas disa çastesh, Schultz u ngrit me ballin e rrudhur dhe shkoi tek dërrasa e zezë duke marrë me vete letër dhe laps. Rikopjoi mbi një fletë të gjitha ekuacionet kryesore, pastaj fshiu plotësisht planin e zdrukuar.
Filloi të shkruajë me tërbim me shkumës, duke nisur nga ekuacionet themelore të termodinamikës dhe duke i zëvendësuar pastaj faktorët me pjesë të marra nga rezultatet e teorisë së tyre.