Kriteri I Leibnizit. Maurizio Dagradi
<Jam profesor Drew nga Manchester. Është profesor Kamaranda?>
<Është poshtë banianit duke medituar.> Dukej mjaftueshëm e bezdisur.
<Mund të shkosh ta thërrasësh?>
<Tani jo. Kam punë.>
Drew kaloi në sulm, i paduruar.
<Duhet t’i flas urgjentisht. Shkoni ta lajmëroni shpejt!>
Aspak e impresionuar, gruaja u nxeh akoma më shumë.
<Sapo të mundem do shkoj. Merr pas një ore.>
Drew humbi kontrollin.
<Dëgjo, budallaçkë, shko menjëherë të thërrasësh Kamarandan ndryshe do përballesh me të, që do të nxjerrë të flesh trotuarëve!>
Ajo reagoi, dhe që çke me të.
<Bastard i një kolonialisti dreqi! Prindërit e tu ishin këtu të masakronin popullin e pafajshëm, gra dhe fëmijë përfshirë; na shfrytëzonit deri në vdekje për t’u pasuruar dhe për t’u bërë të bukur përpara asaj kurvës mbretëreshës tuaj. Nëse mendon se do e luaj bythën për të të shërbyer ty, vdis pra!> Dhe mbylli telefonin dhunshëm.
Drew ishte i tërbuar. E pa veten me receptorin memec në dorë; nga inati pati impulsin ta godiste mbi tavolinë si një çekiç, por morri frymë thellë, mbylli sytë dhe u qetësua shumë shpejt.
Pikërisht me nipërit e viktimave të kolonializmit duhej të përballej, atë mëngjes! Dhe sa anglishte perfekte që fliste: dukej si banore e Birminghamit! Nuk e njihte shumë historinë, por: në kohën e Gandhit, kur mesa duket të afërmit e saj kishin vuajtur represionin anglez, kishte mbret, jo mbretëreshë.
Sidoqoftë, tani si do t’ia bënte? Ajo do të futej midis atij dhe Kamarandas dhe nuk do t’ia kalonte kurrë në telefon. Dhe ai nxitonte, dreqin!
Për më tepër, gruaja duhej të kishte parë numrin në ekranin e telefonit dhe të kishte kuptuar që telefonata vinte nga Britania e Madhe: prandaj ishte përgjigjur në anglisht. Tani do të ishte vigjilente dhe të telefonoje përsëri do të kishte qenë e kotë dhe antiproduktive.
Në atë çast hyri Marron. Kishin lënë takim në orën tetë në studion e Drew-së dhe djali ishte i përpiktë. I erdhi një ide.
<Përshëndetje, Marron! Dëgjo pak, njeh ndonjë kolegun tënd që në këtë moment po studion në Indi, në Raipur?>
<Mirëdita, profesor. Më lër të mendohem ... Ah, ja! Thomas Chatham është atje për doktoraturën e kërkimit. E njoh mirë. Pse ju duhet?>
Drew filloi të shpresonte.
<Një favor i vogël. Mund t’i telefonosh dhe t’i kërkosh nëse mund të shkojë të kërkojë profesor Kamarandën? Do ta gjejë poshtë banianit ku rri zakonisht për të reflektuar mbi problemet e tij matematikore; duhet t’i thojë që të më telefonojë sa më shpejt në këtë numër.>
Marronit kërkesa iu duk pak e çuditshme, por duke njohur natyrën e Drew-së nuk bëri pyetje. Nxorri nga telefoni celular numrin e mikut dhe përdori telefonin fiks të Drew-së për të telefonuar.
Chatham u përgjigj menjëherë. Sapo kishte mbaruar së ndjekuri mësimin e fundit të ditës dhe qe i lumtur që do bënte një shëtitje në kërkim të Kamarandës së ndritur. E gjeti pikërisht poshtë banianit, me shprehitë e përqëndruara të një guruje në meditim. I referoi mesazhin dhe, dhjetë minuta më pas, telefoni i Drew-së po tringëllinte.
<Po ju flet Drew.>
<Përshëndetje, Drew. Jam Kamaranda. Më thuaj.> Indiani ishte një tip sintetik që shkonte drejt e në temë pa shumë zbukurime.
<Më fal nëse të shqetësova, por doja të të propozoja një kërkim mbi një fenomen fizik shumë të veçantë. Do më nevojitej specializimi yt në modelet matematike për të punuar mbi teorinë e fenomenit. Pranon?>
<Kur dhe ku?>
<Këtu në Manchester, sa më shpejt të mundesh. Duhet të të tregoj si funksionon gjëja dhe ...>
<Për nesër në mbrëmje, me orën e Greenwich, do jem aty.>
<Fantastike! Faleminderit, Radni. Shihemi nesër.>
Drew u qetësua. Nga telashi në të cilin ishte ngatërruar, edhe pse jo plotësisht për faj të tij, kishte dalë falë zellit të dy studentëve. Ishin të zotë, ata djem.
<Faleminderit për bashkëpunimin, Marron. Eja, të të ofroj një çaj.>
Ndërsa ecnin përgjatë korridorit të drejtuar për tek pika e freskimit, Marron nuk i rezistoi kureshtjes:
<Profesor Drew, më falni për bezdinë, po më duket që profesor Kamaranda ishte çuditërisht shumë i shpejtë kur vendosi të pranonte detyrën: ka shumë mundësi që tani po bën gati valixhet. Kushedi pse?>
<Nuk di ç’të them, Marron. Ndoshta ka thjesht dëshirë të ndërrojë ambient për pak kohë.> Nuk i tregoi për atë shtrigën e telefonatës; mundej që, në fakt, Kamarandës t’ia kishin dhënë atë grua vetëm se mund të ishte e afërme e ndonjë personazhi të rëndësishëm, edhe pse plotësisht e paaftë si bashkëpunëtore. Ishte e mundur që matematikani të ishte në ndikimin konstant të saj dhe mundësia për të ‘ikur’ në Manchester t’i ishte paraqitur si një ankorë e papritur shpëtimi. Po t’i tregonte Marronit debatin me gruan, do t’i duhej t’i shpjegonte edhe arsyet e inatit të saj; pasi studenti ishte i zi, Drew mendonte që ishte më mirë të mos ngatëroheshin me epokën koloniale me paudhësitë e saj, sigurisht jo më pak të rënda se dëmet e bëra ndaj popullsive afrikane deportuar në skllevëri. Marroni mund të ishte shqetësuar ose të irritohej, gjë që nuk do ishte produktive për klimën që do mbizotëronte në grupin e kërkimit. Më mirë të mos i zbulonin çështje të tilla.
Pika e freskimit ishte e pajisur me gjithçka të nevojshme për të përgatitur çajin klasik anglez, me disa ibrikë çaji, filxhanë të ndryshëm, furnelë për zjerjen e ujit, llojet kryesore të çajrave paraqitur si me zarf ashtu edhe me gjethe, komplete të ndryshëm, sheqer dhe një llojshëri diskrete pastash të paketuara. Nuk mund të mungonte qumështi, që shtohej rigorozisht në fund të përgatitjes. Sipas praktikuesve të ortodoksisë të çajit origjinal, anglezët kishin shkatërruar atë pije të bukur duke i shtuar qumështin, gjë mundësisht e vërtetë, po nëse atyre iu pëlqente kështu, pse të mërzitesh? Shijet janë të ndryshme: ç’farë do të duhej të thonin italianët, atëherë, meqë amerikanët gatuajnë picën edhe në zgarë?
Drew vuri ujin të zjejë, e rrotulloi paksa në ibrik për ta ngrohur në brendësi, e zbrazi dhe hodhi brenda tre lugë të vogla me Darjeeling gjethe, të preferuarin e tij: një lugë të vogël për çdo filxhan dhe një për ibrikun, sipas traditës. Shtoi ujin e përvëluar dhe e la të qetë për katër minuta, kohë e nevojshme për të arritur përqëndrimin ideal për të.
<Një gjë tjetër, profesor.> filloi Marroni, <Si do të paguhen shkencëtarët që po thërret? Profesor Kamaranda, për shembull, thjesht pranoi detyrën dhe që nesër do jetë këtu. Kush do ta paguajë udhëtimin, shpenzimet e qëndrimit, performancën profesionale?>
<Universiteti i Manchesterit ka një konventë vjetore me shumë universitete të tjera, nëpërmjet të cilës studiuesit që lëvizin midis universiteteve pjesëmarrës në konventë paguhen sikur të qëndronin në selitë e tyre; shpenzimet kompensohen automatikisht mjafton që të hyjnë në tipologjitë e parashikuara. Meqënëse fluksi i personave është goxha i balancuar midis selive të ndryshme bilanci vjetor nuk preket, por çdo universitet ka një fitim nga pikëpamja shkencore, falë kontributit të trurit që i ‘emigron’ për një farë periudhe.>